Lorenc Trashi ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp të Kombëtares. Mesfushori i njohur është grumbulluar nga trajneri Reja për sfidën ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Mëngjërashi preku shumë tema teksa deklaroi para gazetarëve:
“Është e vërtetë, është grumbullimi i tretë me Kombëtaren. Jam përshtatur dhe njohur mirë me epokën e trajnerit që ndodhem tani. Panuçin nuk e njoh shumë dhe s’mund të flas më shumë për të. Trajneri Reja nuk është nevoja të them unë kush është. Atmosfera është pozitive. Gjithçka shumë mirë dhe çunat janë optimistë.
Probleme krahu i majtë? Nuk jam i mendimit që ka pasur shumë probleme krahu i majtë. Por, njëherë lojtari është në formën e duhur dhe njëherë jo. Unë jap maksimumin në ekipin tim, por i takon trajnerit të vendosë. E ndjej veten shumë mirë, ndaj trajneri më thirri. Shpresoj të kem minuta.
Normalisht çdo lojtar në kampionatin shqiptar kërkon të ketë një eksperiencë në një kampionat më të lartë. Mendoj që Kombëtarja më shërben më mirë për këtë pjesë. Por, disa minuta në këmbë do të më bënin të provoja veten, pse jo të provoj edhe veten në një ekip më të lartë në Europë.
Unë personalisht s’kam pasur asnjëherë probleme me trajnerin. Ai ka qenë i pari që më ka mbështetur dhe më ka përqafuar. Ka komunikuar dhe me trajnerin dhe çdo gjë është në rregull.
Kampionati shqiptar nuk ka nivelin e kampionateve në Europë duke u bazuar te ritmi i kampionatit.
Turqia po kalon një moment të mirë. Duhet të jemi shumë të përqëndruar dhe të japim maksimumin tonë. Vetëm fitorja mund të na japë një shpresë për të shkuar më lart.
Nuk mund të flas dhe ti sugjeroj trajnerit lojtarë. Por, Superliga ka futbollistë vërtetë cilësorë. Megjithatë stafi i trajnerit i di mirë. Mendoj se çdo gjë është Okej deri tani dhe s’i kanë ngrënë hakun asnjërit.
Në Turqi duhet të jemi shumë kompakt me njëri-tjetrin dhe duhet ta sulmojmë te pika më e dobët. Në të tilla sfida 2-3 raste të jepen dhe duhen shfrytëzuar në maksimum”, përfundoi ai.
Kujtojmë që Jasir Asani ka qenë një nga lojtarët që ka pretenduar një ftesë nga trajneri Edi Reja, megjithatë sipas Lorenc Trashit askujt nuk i është “ngrënë” haku nga italiani. Sipas tij gjithçka është në proporcion me performancën në fushën.