Teuta do të luajë një tjetër sfida të vështirë në kampionët, teksa këtë herë do të udhëtojë në Rrogozhinë. Durrsakët do të duelojnë me Egnatian në kuadër të javës së 7-të, sfidë që do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 14:00.
Kjo do të jetë edhe sfida e dytë e Edi Martinit në krye të stolit të durrsakëve, teksa e nisi avanturën e 5-të në Durrës me barazim ndaj Kukësit. Në “Egnatia Arena” timonieri shkodran do të synojë fitoren për të kthyer Teutën te rezultatet pozitive që do të ndihmonin që skuadra t’i largohej fundit të klasifikimit.
Në favor të “Djemve të Detit” janë statistikat e dueleve direkte mes dy ekipeve. Në 12 përballje mes tyre , Teuta ia ka dalë të fitojë në 9 raste, ndërsa Egnatia vetmë në një ndeshje. Gjithashtu 2 takime kanë përfunduar në barazim. Kjo tregon se durrsakët janë dominues në duelet direkte dhe ditën e nesërme do të synojnë të thellojnë këtë statistikë me Edi Martinin në stol. Edhe në 4 takimet e sezonit të kaluar, 2 javë fituar nga Teuta dhe dy kanë përfunduar në barazim.
Për Martinin ka një rikthim të rëndësishëm në skuadër për duelin me djemtë e Edlir Tetovës. Endri Dema do të marrë vendin e tij në portë, pasi në ndeshjen e Kukësit mungoi për arsye pezullimi.