Oskar Garsia, trajneri spanjoll i Salzburgut, ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme mes ekipit të tij dhe Partizanit në “Elbasan Arena”. Ai ka pranuar problemet që do të sjellin mungesat e disa titullarëve por gjithsesi ka shfaqur bindjen se ekipi i tij do ta sigurojë kualifikimin që në takimin e parë.
“Kemi disa mungesa të rëndësishme për këtë sfidë por gjithsesi besojmë se mund ta kalojmë më sukses këtë përballje. Këtu kemi ardhur për të fituar, pasi unë gjithmonë e përgatis skuadrën për fitore dhe asnjëherë për barazim. Do të kërkojmë të mbyllim që në ndeshjen e parë çështjen e kualifikimit, pavarësisht se nuk jemi në formën tonë më të mirë”, tha Garsia.
Ai gjithashtu bëri një koment mbi Partizanin, të cilin u shpreh se e ka analizuar me shumë kujdes.
“Kemi analizuar deri në detaje çdo lojtar të kundërshtarit, e kemi bërë bashkë me gjithë ekipin teksa kemi ndjekur të dyja ndeshjet që Partizani ka bërë me Ferencvaroshin. E respektojmë si kundërshtar por nëse luajmë mirë besoj se do të arrijmë të marrim rezultat. Për ne nuk ka shumë rëndësi nëse luajmë jashtë apo brenda pasi gjithmonë përpiqemi të diktojmë ritmin dhe të fitojmë dhe këtë do të kërkojmë të bëjmë dhe në ‘Elbasan Arena'”, ka përfunduar spanjolli.