Flamurtari nga dje është pa trajner, kjo pasi Shpëtim Duro ka dhënë dorëheqjen pas disfatës që ekipi vlonjat pësoi në shtëpi ndaj Skënderbeut, ku u mund me rezultatin 2-0 dhe për pasojë u eleminua nga Kupa e Shqipërisë.
Ndërkohë që sot pritet të zhillohet një mbledhje në kryesinë e klubit për të zgjedhur trajnerin e komanduar deri në fund të sezonit, janë zbuluar dhe emrat e parë të trajnerëve të mundshëm për pankinën e klubit vlonjat.
Emri i parë është ai i Petraq Bifshës, i cili ka eksperiencën e duhur. Jeton Beqiri është emri i dytë i mundshëm për tu vendosur si trajneri i Flamurtarit, duke qenë se ky i fundit punoi në Vlorë si ndihmësi i Duros me të cilin ka bashkëpunuar dhe më parë gjatë kohës që Shpëtim Duro ka qenë pjesë e Shkëndijes së Tetovës.
Një tjerër emër është dhe ai i Lusi Kurbejos, ish-trajner i Luftëtarit, por që me shumë mundësi për momentin mund të mënjanohet si mundësi, bazuar në deklaratën që Sinan Idrizi ka dhënë pas largimit të Duros, se në krye të ekipit do të vendoset një trajner i komanduar deri në fund të sezonit.