
Diego Longo është i ftuar në emisionin "Skaner" të drejtuar nga Gerti Çarçani. Trajneri i Kukësit po bën analizën e ekipit të tij, për të cilin shprehet i lumtur me mënyrën se si kanë performuar deri tani.
Ai kërkon të ulë me këmbë në tokë skuadrën e vet duke deklaruar se do të jetë e vështirë që në këtë sezon të fitohet titulli kampion. Vlerësoi maksimalisht Partizanin, ndërsa tregoi se me Tiranën s'kishte vuajtur.
"Ne jemi një skuadër që luftojmë për një ëndërr. Tirana dhe Partizani janë ndërtuar për të fituar titullin. Në mars do të bëjmë bilancet për të parë se çfarë do të mund të bëjmë.
Titulli nga presidenti? Sigurisht që e do, por luajnë lojtarët jo ai. Presidenti është ambicioz, por duhet të kuptoj se cila është vlera e vërtetë e skuadrës, kampionatin dhe ekipet e tjera. Natyrisht duhet të dijmë se nga vijnë skuadrat. Përpara se unë të vija, janë ndërruar 15 ose 16 lojtarë. Është ndryshuar trajneri. Në memorien time s'e kujtoj që një ekip i tillë të dalë kampion.
Por, kjo s'do të thotë se s'do të luftojmë. Nëse dikush kuoton Kukësin kampion, gabon. Buxheti bën diferencën. Unë jam italian dhe në Itali kampionatet duhet t'i fitojë Interi e Juventusi. Fiorentina dhe Lazio duan ta fitojnë, por nuk janë favoritë. Deri tani kemi bërë mirë dhe jam shumë i lumtur. Nuk ndryshoj asnjë nga lojtarët e mi. Dua të qëndroj me këmbë në tokë. Unë jam i qetë.
Ekipi më i vështirë? Partizani ka qenë skuadra që na ka vënë seriozisht në vështirësi. Ndoshta kemi vuajtur pak idenë për të luajtur me Partizanin, natyrisht dhe ajo me Dinamon ishte një ndeshje që mund të bënim mirë.
Tirana? Sinqerisht në ndeshjen me Tiranën s'kemi vuajtur si me Partizanin. Tirana është një kategori tjetër, por ka qenë një ndeshje që duhej parë ndryshe".