
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku është i bindur se sezoni futbollistik në Shqipëri do të rifillojë më 3 qershor, ndërsa Qeveria nuk ka pse refuzon protokollin e sigurisë të ofruar nga organizmi i futbollit në vend.
Në intervistën për A2 Cnn, Shulku sqaron se nëse një lojtar apo pjesëtar i stafit rezulton pozitiv në testet anti-covid, nuk ka pse ndërpritet aktiviteti ndërsa personi do të karantinohet.
"Nuk besoj se protokolli ynë nuk do të refuzohet, pas takimeve që ne kemi zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Shpresoj se do të kemi një reagim pozitiv dhe jo refuzim. Në bisedë është rënë dakord për të gjitha pikat e protokollit sanitar. Është rënë dakord që para seancave stërvitore dhe ndeshjeve, lojtarëve dhe stafit, do t’u matet temperatura dhe nëse dikush do të shfaqë simptoma, atëherë do t’i nënshtrohet tamponit.
Nëse një futbollist do të rezultojë pozitiv me koronavirus, ai do të karantinohet, ndërsa ekipi do të vazhdojë. Ekipit do t’i bëhen tamponët dhe nëse do të jenë negativë, do të vazhdojnë ndeshjen", deklaroi Ilir Shulku.