
Skuadra e Tiranës ka vijuar përgatitjet këtë pasdite në kompleksin stërvitor “Slënder Halili”. Bardheblutë të drejtuar nga Orges Shehi kanë një ndeshje të vështirë të dielën përballë Erzenit. Takimi do të luhet në “Elbasan Arena” me dyer të mbyllura. Tirana vuan dënimin e 4 ndeshjeve pa tifozë pas trazirave në derbin me Partizanin.
Për sfidën me shijakasit tekniku Orges Shehi e ka të plotë kontigjentin me përjashtim të Patrick i cili humbi sezonin për shkak dëmtimi disa javë më parë. Ekipi ka pasur luhajtje javët e fundit duke humbur edhe kreun e renditjes. Gjithashtu edhe në miqësoren me Vorën fundjavën e shkuar ata u mundën 2-0 duke shfaqur mjaft probleme. Ndaj Erzenit ata do kërkojnë kthesën për të qenë në garë për titullin.