Futbollisti i Luftëtarit Aurel Demo shpreson të realizojë ëndrrën e transferimit jashtë Shqipërisë falë paraqitjeve pozitive dhe përkushtimit ndaj ekipit gjirokastrit. 22-vjeçari foli për “RTSH Sport” në lidhje me fatin e bluzinjve këtë sezon duke shprehur bindjen e plotë, se lojtarët bashkë me trajnerin do t’ia dalin t’i shpëtojnë rënies nga Kategoria Superiore.
“Hapat e para te Luftëtari? Ishte trajneri (Hasan) Lika që më aktivizoi me Luftëtarin dhe më dha besim. Kam punuar më shumë dhe dua të jap maksimumin për të shkuar sa më lart.
Synimet personale? Para punës është besimi. Po të kemi besim, çdo gjë do të eci si për mua dhe për skuadrën. Është një ëndërr për mua të transferohem jashtë Shqipërisë, por kjo varet nga unë dhe impenjimi im në stërvitje dhe në fushë. Ishalla realizohet.
Luftëtari dhe misioni i shpëtimit? Normal, dua që skuadra ime të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Shpresoj t’ia dalim, sepse kemi ekip shumë të mirë. Kanë ardhur dhe lojtarët e rinj dhe po lidhemi shumë mirë. Po punojmë përditë shumë në stërvitje.
Nga mbrojta në sulm? Më kërkoi trajneri që të jem më ofensiv. Ku të kërkojë skuadra do të luaj.
E veçanta e Luftëtarit? Kanë besim të gjithë lojtarët në skuadër. Kjo është e mira që kemi. Jemi bërë një ekip. Edhe lojtarët e rinj po përshtaten shpejt me ritmin dhe skuadrën.
Mesazhi për tifozët gjirokastritë? Dua që tifozët të na mbështesi dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë”, përfundoi Demo.
Luftëtari pret në shtëpinë e tij Teutën e pretendimeve të mëdha dhe gjirokastritët do të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe faktin që nuk janë mposhtur në 3 takimet e fundit duke siguruar 1 fitore (ndaj Laçit 2-0) dhe dy barazime ndaj Flamurtarit (0-0) dhe Tiranës (1-1).
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.