Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur në prag të ndeshjes ndaj Bylis. Bardheblutë luajnë nesër në transfertë në orën 16:00, ndërsa përballë do kenë një skuadër që lufton për mbijetesën. Sfida vlen për javën e 31 të Superligës.
“Kemi marrë një fitore me shumë vlera ndaj vendit të parë, Ka qenë javë e ngjeshur. Triumfi na vlen shumë për objektivat dhe na ka sjellë anë psikologjike të mirë për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës.
Transferta? Bylisi është kundërshtar i fortë, luan futboll me intensitet të lartë dhe këtë e kanë anën më të fortë. E dimë mirë se është ndeshje e rëndësishme. Në këtë fazë të kampionatit të gjitha skuadrat kanë objektivat e tyre. Dikush pretendon ngjitjen në majë, dikush për t’iu shmangur fundit.
Jemi koshientë që luajmë ndaj një rivali të fortë. Javët ngushtohen dhe bëhen më të zjarrta sepse duhen pikët për çdo skuadër. Janë disa kundërshtarë që në fushën e tyre luajnë më mirë dhe janë më të fortë të jashtë. Është e rëndësishme për të ardhmen tonë kjo ndeshje.
Fitoret në Ballsh të rralla? Këto janë statistika. Për mua është hera e parë që shkoj në Ballsh si trajner i Tiranës. Nuk do komentoj çfarë ka ndodhur në të shkuarën. E thashë se janë të fortë dhe në fushën e tyre shprehen më mirë.
Nëse shohim statistikat e Tiranës, kemi fituar ndaj skuadrave që janë poshtë në renditje. Nuk fituam me Kukësin dhe Skënderbeun, fati është pjesë e futbollit, diku t’i merr pikët e diku t’i jep. Çdo ndeshje do vlerësuar, shihet edhe në rezultatet e çdo javë që duken edhe të çuditshme.
Kjo ndodh sepse nuk ka shumë diferenca dhe nëse ul vigjilencën të bën dëm çdo kundërshtar. Pengje? Ndeshjet kalojnë shpejt. Sigurisht në beteja të caktuara mund të bënim më mirë. Pengu im i vetëm është fati im i keq që nuk isha në ndeshjen me Teutën sepse isha me Covid-19.
Mbrojtja është shumë e rëndësishme, duket të jesh shumë strikt në këtë fazë. Duhet ta vlerësojmë kundërshtarin në maksimum dhe duhet të qëndrojmë si në dy ndeshjet e fundit. Të fokusohemi në maksimum sepse 6 ndeshje janë, nuk jemi në fillim të kampionatit.
Sezonin e ardhshëm te Tirana? Nuk jam person që merrem me të ardhmen dhe me të shkuarën. Sigurisht që është e rëndësishme që një trajner ta nisë nga fillimi, por jam i fokusuar te këto ndeshje të mbetura, që janë hallka kryesore e zinxhirit, më pas të shohim dhe bëjmë llogaritë për atë që kam dhënë. Kjo është kompetencë e presidentit dhe për mua s’është e rëndësishme.
Të jesh te Tirana, edhe sikur të jesh i nënti në renditje, do të flitet për titullin sepse është në ADN e klubit, që të tentojë gjithmonë maksimumin. Ne jemi të pestët dhe mendoj se nuk mund të flasim për titullin kur kemi katër skuadra përpara. T’i marrim shkallët një nga një, nuk është në dorën tonë.
Jemi afruar me pikë me kreun dhe kur e bën këtë pretendimi për titullin është fakt, sepse është kërkesë që ta jep tifozeria dhe fanella. Edhe po të dalësh kampion, të kërkohet diçka më shumë. Tirana nuk ka limite. Nuk do e përmend tani, dua të ngjitem dhe pastaj le të flasim për titullin”, tha Shehi.