
Edhe pse të gjithë kërkonin që ai të qëndronte, në fund të sezonit që sapo u mbyll trajneri Ilir Daja dha dorëheqjen nga Tirana pas mosarritjes së objektivit që ishte pjesëmarrja në Kupat e Europës. Pavarësisht kësaj , duket se “dashuria” mes tij dhe klubit bardheblu pritet të vazhdojë. Trajneri Daja fitoi zemrat dhe besimin e tifozëve bardheblu gjatë sezonit të kaluar teksa ata kërkonin me ngulm që ai të qëndronte, por tashmë duket se bashkëpunimi do të vazhdojë. Ditën e sotme presidenti Refik Halili ka patur një takim me trajnerin e njohur dhe flitet se çdo gjë është mbyllur dhe marrëveshja për një kontratë të re është arritur.
Ajo pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme teksa pritet që Tirana të fillojë të mendojë shpejt për të formuar skuadrën, pasi presin pjesëmarrjen në Kupat e Europës, nëse CAS do të lërë në fuqi dënimin e UEFA-s për Skënderbeun. Për bardheblutë kjo vjen si një dhuratë nga qielli, pasi dështoi që t’a arrijë këtë objektiv përmes kampionatit.