Tirana zyrtarizoi rikthimin e bujshëm të Albi Dokës në orët e vona të natës së mbrëmshme. Një goditje për bardheblutë që përforcojnë organikën me një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në vitet e fundit në Shqipëri.
Para 3 vitesh u largua si kampion, por Tirana nuk përfitoi asnjë kacidhe pasi atij i skadonte kontrata dhe kjo la një shenjë të hidhur te drejtuesit, megjithatë ishin të lumtur t’i hapnin rrugën lojtarit. Që prej asaj dite, klubi kryeqytetas ka qenë striktë me kontratat duke larguar lojtarë vetëm në këmbim të parave ose dakordësim mes palëve.
I vetmi largim i “dhimbshëm” si ky është ai i Hoxhallarit që u largua në të njëjtën mënyrë. Albi Doka tani është rikthyer. Lojtari ishte nën kontratë deri në 2025 me hungarezët e Budapest Honved por 26 herë kampionët e vendit ia kanë dalë ta marrin falas.
Doka ka firmosur ndërprerjen e bashkëpunimit me hungarezët dhe ka hedhur të zezën mbi të bardhë në kontratën e re që do e mbajë lidhur me Tiranën për 3 vitet e ardhshme.