
Tirana do të udhëtojë në Kukës, aty ku do të përballet me verilindorët në transfertë ditën e hënë në orën 16:00, ndeshje e vlefshme për javën e 4-të të Superiores. Bardheblutë nuk duan të ndalin hapin dhe do të kërkojnë fitoren e rradhës për të vijuar kryesimin e renditjes.
Pas fitores me Skënderbeun, ekipi do të rikthehet në stërvitje ditën e sotme, por grupi nuk do të jetë i plotë. Sezoni i fundit u karakterizua nga mungesat e shumta dhe ky i sivjetshmi nis me të njëjtin avaz. Në ndeshjet e para mungonin Hasani e Lulaj për shkak dënimi ndërsa me Kukësin do të mungojnë Hoxhallari dhe Deliu ndërsa në dyshim mbetet edhe Najdovski.
Ish-kapiteni dhe ish-mesfushori i Laçit kanë pësuar një dëmtim në ndeshjen me Skënderbeun dhe nuk pritet që të jenë të gatshëm, siç vetë trajneri Shehi tha në konferencën pas ndeshjes. Sa i përket maqedonasit, ai ka për të shlyer dënimin me 2 ndeshje, por një e dogji me korçarët dhe tashmë është në dorën e klubit nëse do të paguajë gjobën apo të vijojë edhe këtë ndeshje pa të.
Në këtë situatë, Shehit i duhet të arnojë mbrojtjen me spostimin e Përgjonit në qendër dhe Gledi Mici si titullar në krahun e majtë ndërsa në mesfushë alternativat janë të shumta për të zëvëndësuar Ardit Deliun, me Klevi Qefalijan që rrit kuotat e tij pas golit të shënuar.
Formacioni i mundshëm:
Tirana (4-3-3): Lika; Doka, Lulaj, Përgjoni, Mici; Hila, Jonuzi, Lushkja(Qefalija); Hasani, Kaina, Latifi.
Trajner: Orges Shehi