
Tirana arriti të shpallej kampione e Shqipërisë në sezonin që lamë pas duke koleksionuar trofeun e 26-të në histori. Bardheblutë zhvilluan një super edicion duke siguruar titullin disa javë para. Ky sukses përkthehet edhe në të ardhura të konsiderueshme për klubin. Titulli kampion siguron pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Edhe pse nuk arritën objektivin duke u eleminuar në turin e dytë të Conference League, bardheblutë kanë siguruar plot 800 mijë euro nga pjesëmarrja në arenën europiane.
Sakaq të ardhura të konsiderueshme priten edhe nga shitja e disa futbollistëve. I pari që mbush arkën e klubit është Enur Totre që la Tiranën për Vorsklën për shifrën e 250 mijë eurove.
Të njëjtën rrugë pritet të ndjekë edhe Taulant Seferi duke u transferuar në Turqi për 800 mijë euro, si dhe Visar Bekaj te i njëjti ekip për 180 mijë euro. Duhet thënë që deri më tani është zyrtarizuar vetëm largimi i Totres, ndërsa dy lojtarët e sipërpërmendur janë ende pjesë e bardhebluve. Në total, klubi i Tiranës në këtë periudhë vere mund të përfitojë afro 2 milionë euro duke siguruar në këtë mënyrë buxhetin e plotë për sezonin e ri futbollistik.