
Ditën e djeshme, Tirana luajti kundër Vorës, ndeshje e vlefshme si miqësore. Ky takim u zhvillua në kompleksin “Skënder Halili”, ndërsa trajneri Emanuel Egbo provoi të gjithë lojtarët që do të hedhë në fushë kundër Bylisit.
Goli vendimtar i sfidës u shënua me penallti dhe pas një kohë shumë të gjatë mungese për shkak dëmtimi, ishte sulmuesi Ismael Dunga që realizoi nga pika e bardhë e 11-metërshit. Trajneri i bardhebluve ka mbetur relativisht i kënaqur, megjithatë kërkon ende nga lojtarët e tij që të kapin formën optimale.
Ai që shqetëson momentalisht është Elton Cale, pasi ka ndjerë një dhimbje gjatë ndeshjes në shpatull pas një rënie në tokë. Nuk dihet nëse dëmtimi i brazilianit është serioz, megjithatë gjithçka do të shihet në ditët në vazhdim. Kujtojmë që të mërkurën e ardhshme, Tirana do të luajë në transfertë kundër Bylisit, ndeshje e vlefshme për javën e 27-të të Superiores.