Tirana do të udhëtojë në Kamëz për të sfiduar Kastriotin sot në orën 13:00 për javën e 22-të të Kategorisë Superiore. Bardheblutë vijnë pas humbjes në Klasike dhe duan me cdo kusht reagimin teksa çdo rezultat veç fitores është një “asist” për rivalët Vllaznia e Partizani.
Nën drejtimin e trajnerit Shehi, kampionët në fuqi kanë mbyllur dje përgatitjet e sfidës dhe rikthimi i liderit Albano Aleksi është një lajm i mirë për Tiranën në një përballje të “mallkuar” si ajo ndaj krutanëve.
Në fushën e Kastriotit, fitorja e fundit daton më 7 mars të vitit 2021 dhe që prej asaj dite, shtëpia e krutanëve është kthyer në një tabu për bardheblutë që nuk kanë arritur të dalin me tre pikë në të tre sfidat pasardhëse. E çuditshme duke parë se në fushën e Tiranës, bardheblutë nuk e kanë pasur asnjëherë të vështirë t’i mposhtin, madje me rezultat të thellë.