Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kukësin, nesër në orën 13:30 për javën e 22-të të Superiores. Tekniku i bardhebluve është i bindur se ekipi i tij do ta sigurojë Final Four për shkak se në 5 ndeshjet e fundit kanë shënuar 15 gola, ndërsa në 3 ndeshjet e fundit jashtë fushe kanë marrë rezultate pozitive.
“Duke parë dhe formulën e kampionatit, të gjitha skuadrave po i shfaqen oshilacionet. Te Tirana duken pak më të larta këto, por nuk vijnë vetëm nga kampionati. Kishim tre ndeshje jashtë fushe dhe të tre morëm rezultat pozitiv, nuk morëm asnjë humbje. Vetëm në shtëpi, që duhet të ishim më të përqendruar, më të kujdesshëm, aty pësuam disa aksidente në fillimin e ndeshjes, që ndikuan në vazhdimin e saj.
Pra kjo është një periudhë që duhet akoma dhe më tepër përqendrim për t’u përmirësuar dhe për të arritur maksimumin tonë të skuadrës, që është më e rëndësishmja në futboll, për të arritur te një skuadër fituese.
Duhet më shumë përqendrim, më shumë sakrificë, sepse fanella që ne përfaqësojmë dhe unë e të gjithë futbollistët është një fanellë shumë e rëndë e futbollit shqiptar dhe një fanellë që ka fituar shumë tituj. Kemi folur dhe më përpara për vrullin që ka Tirana në genetikën e saj. Ne nuk mund të jemi jashtë kësaj genetike që ka klubi.
Kukësi? Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse dhe kundërshtari është në një pozicion të vështirë dhe ka bërë lojëra të mira. ne duhet të jemi të përqendruar për të dalë fitues.
Stoli? Kjo ka ardhur për shkak se merkato ka qenë e bllokuar dhe se skuadra ka qenë e mbingarkuar në periudhën e parë të kampionatit. Kishim rikthimin e Patrik në janar, rikthimin e Nikqit nga huazimi. Nuk është aq e brishtë sa duket. Kemi lojtarë nga akademia, që disa po luajnë dhe po japin shumë mirë. janë futbollistë të shëndetshëm dhe do të ndihmojë klubin në vazhdim.
Jam shumë i bindur dhe ju e mendoni që skuadra e kap katërshen. Sepse Tirana në 5 ndeshjet e fundit ka shënuar 15 a më shumë gola dhe kjo është gjëja më e vështirë në futboll, për të shkuar te goli. Për aspektin mbrojtës na duhet përqendrim, sakrificë që kur të jemi në finale të jemi të kompletuar në të gjitha aspektet”, u shpreh Ahmataj për mediat.