
Ditën e djeshme në orën 13:30 janë zhvilluar tetë sfidat e vlefshme për Kupën Shqipërisë, të cilat përcaktuan dhe ekipet që do të shkojnë në çerekfinale. Sfidat që u luajtën ishin tepër interesante, si më të "nxehtat" u konsiderua Partizani-Besëlidhja dhe Laçi-Bylis. Të kuqtë luanin për përmbysjen e madhe të rezultatit, gjë që në fund nuk ndodhi, ndërsa Laçi-Bylis ishte me aromë "Superioreje" pasi rivaliteti i të dyja klubeve vazhdon prej kohësh.
Megjithëse ekipet luanin kartën e tyre për kualifikimin në Kupën e Shqipërisë, shkallët e stadiumeve ishin pothuajse bosh dhe ndeshjet u zhvilluan pa shumë interes dhe për të shtuar indiferentizmin mediat në vend nuk i mbulonin ndeshjet me pamje live. Se çfarë u bë dhe se çfarë ndodhi shumë pak vetë e morën vesh. Në sfidën Teuta-Erzeni, Flamurtari-Vllaznia, Kukësi-Lushnja tifozët zor se i kalonin 50 vetë në secilën prej ndeshjeve. Po ashtu edhe Partizani-Besëlidhja kishte një numër të ulët të tifozëve, teksa shkallët e "Elbasan Arenës" dukeshin të boshatisura. Kupën e Shqipërisë duket se e shpëton vetëm Tirana-Kastrioti dhe Laçi-Bylis ku tifozët ishin në numër të konsiderueshëm.
Por pavarësisht kësaj. Kur tifozët dhe sportdashësit mungojnë në stadium dhe për më tepër nuk kanë mundësi t'i shohin as drejtpërdrejtë ndeshjet e ekipit të zemrës (rasti kur janë në punë), për kë luhen ndeshjet?!