Të dielën do të luhet derbi i shumëpritur mes Tiranës dhe Partizanit, e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores. Para kësaj supersfide ka folur ish-legjenda e sulmit të kampionëve, Edmond Dosti.
Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale i bën thirrje futbollistëve të ardhur në këtë merkato vere që të vlerësojnë maksimalisht këtë takim. Gjithashtu ka një mesazh për trajnerin Franko Lerda, të cilit i thekson që duhet të fusë titullarë vetëm ata futbollistë që e meritojnë.
"Të dielën luhet derbi. Partizani po vuan në këtë fillim të kampionatit, por pavarësisht kësaj Partizani do të hyjë për ta fituar derbin dhe për të bërë detyrën siç e këtë 5-6 vjeçarin e fundit. E rëndësishme është që Partizani duhet ta fitojë këtë përballje me rivalët e përhershëm. Se kjo fitore do të ketë një ndikim pozitiv për vazhdimësinë e mëtejshme të kampionatit.
Dua t'i kujtoj lojtarëve të rinj të ardhur këtë vit, se ajo fanelë që veshin ka shumë peshë në historinë e futbollit shqiptar. Prandaj duhet të jepni më shumë në fushë duke respektuar fanelën dhe tifozët e zjarrtë të Partizanit. Dhe një sugjerim për trajnerin: Ka ardhur koha për të aktivizuar lojtarët që janë 100 përqind angazhimin e tyre në fushën e lojës dhe jo lojtarë që ecin në fushë pa dhënë asnjë rezultat, kushdo qoftë ai. Shpresoj dhe uroj që kjo ndeshje të bëjë kthesën e duhur për ecurinë e trajnerit dhe ekipit", shkruan ai.
