
Rikthehet Kombëtarja, rikthehen emocionet e forta që dinë vetëm ata t’i dhurojnë. Ata, heronjtë kuqezi të cilët i mundësuan miliona shqiptarëve të realizonin ëndrrën për Euro 2024.
Sonte rikthehen për herë të parë këtë vit në fushën e lojës. Luajmë ndaj Kilit në miqësore, në orën 20:45 dhe skuadra është e gjitha gati për të rikthyer emocionet e forta.
Atmosfera është thjeshtë fantastike në grumbullim, lojtarët janë më të bashkuar se kurrë dhe nuk ngurojnë ta shfaqin haptasi miqësinë me njëri-tjetrin. Fundja, i bashkojnë ngjyrat, i bashkon Kombi.
Shqipëria është Kombëtarja e gjithë shqiptarëve anembanë globit. Futbollistë nga të gjitha trevat kanë veshur dhe veshin fanellën kuqezi dhe në brezin e sotëm, janë shtuar djemtë nga Ilirida.
Shkupjani, Jasir Asani me një postim në rrjete sociale ndan një foto krah tetovarit Nedim Bajrami dhe Naser Alijit nga Kumanova nën diçiturën: Tetovë – Shkup – Kumanovë. Të bashkuar mund të bëjmë të pamundurën realitet. Forca Shqipëri.