
Vetëm 48 orë përpara ndeshjes me Zvicrën, e cila do të jetë e para për Shqipërinë në finalet e një Europiani, kanë zbarkuar forcat antidoping të UEFA-s. E kujt do t'ia merrte mendja se brenda 4 muajsh ky do të ishte testi i tretë për lojtarët kuqezinj?! Normalisht, kështu ka ndodhur dhe lojtarët u janë nënshtruar testeve sipas rregullave që kërkohet. Teste janë kryer përpara miqësores me Austrinë dhe pas asaj me Katarin.
Ndërkohë që brenda pak ditësh lojtarëve iu është dashur që të bëjnë sërisht testet e urinës dhe të gjakut për të kontrolluar nivelin e substancave në gjak. Sipas asaj që referon "Panorama Sport", UEFA ka përzgjedhur 10 lojtarë kuqezinj, bëhet fjalë për; Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Odise Roshi, Frederik Veseli, Andi Lila, Migjen Basha, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka dhe Bekim Balaj.