Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë në 26 nëntor, nxiti këdo që kishte mundësi për të dhënë kontributin e tij në ndihmë të atyre që u dëmtuan rëndë. Të gjithë janë solidarizuar me fatkeqësinë tonë.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe klubi i Olympic Marseille. Francezët kanë vendosur në kanalin zyrtar, adresat qeveritare shqiptare ku të gjithë mund të kenë mundësi të japin online donacionet e tyre. Lorik Cana është një emër i njohur për Francën dhe veçanërisht për Olympic Marseille, ekip që ka dhënë shumë kontribut, qoftë edhe me shiritin e kapitenit në krah.
Për këtë, klubi francez shkruan: "Shqipëria, shtëpia e ish-kapitenit Lorik Cana, u godit javën e kaluar nga një tërmet i tmerrshëm. Olympique de Marseille mbështet popullin shqiptar në nevojë dhe ofron ndihma për familjet e goditura nga kjo tragjedi. Klubi fton çdo "Olympien" që ka mundësi të dhurojë për shqiptarët e prekur nga tërmeti".
