
Luftëtari barazoi 1-1 kundër Teutës në sfidën e luajtur dje në stadiumin e qytetit të Gjirokastrës.
Dy golat e shënuar në këtë ndeshje iu "faturuan" gabimeve të gjyqtarit Alla. Kjo pasi penalltia e dhënë në favor të Luftëtarit u konsiderua si e paqenë, ndërsa goli i shënuar nga Teuta në fund si i parregullt, pasi Bangal e dërgoi topin me dorë në rrjetën e portës bluzi në minutën e 96-të.
Goli i barazimit acaroi jo pak tifozërinë e Luftëtarit, ndërsa skuadra e Teutës qëndroi për 30 minuta në dhomat e zhveshjes, deri në momentin që policia zbrazi stadiumin.
Për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes tifozëve dhe lojtarëve të Teutës, këta të fundit u nxorrën dje nga një derë "sekrete" e stadiumit të Gjirokastrës, për t'iu drejtuar më pas autobusit të tyre, ndërsa jashtë stadiumit kishte ende grumbullime të tifozëve të Luftëtarit.