
Eleminimi nga Kupat e Europës ka krijuar pakënaqësi te drejtuesit e Partizanit. Tashmë buxheti është plotësisht i reduktuar dhe në këtë mënyrë ka nisur puna për sezonin e ri. Egzon Belica duket se e ka pësuar i pari, teksa i është kërkuar ulje page nga drejtuesit e 16 herë kampionëve të Shqipërisë.
Siç raporton shtypi i shkruar kjo ka krijuar krisje mes palëve duke bërë që ai të mungojë prej 2 ditësh në stërvitje. Drejtuesit e Partizanit e kanë larguar nga faza përgatitore duke e thirrur në Tiranë për të negociuar. Por, duket se 31-vjeçari vështirë se do të heqë dorë nga kushtet për të cilat ka firmosur. Stafi teknik ka bërë me dije se lojtari nuk është më titullar i padiskutueshëm duke ia bërë më të thjeshtë punën drejtuesve.
Kontrata e Belicës me Partizanin është edhe për 1 vit tjetër. Megjithatë nëse s’do ketë dakordësi për ndryshim kushtesh, gjasat janë që shtatlarti të përfundojë në ekipet zinxhirë. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë te kryeqytetasit, që veç punës intensive për edicionin e ri, kanë probleme edhe me futbollistët në skuadër.