Problemet e dëmtive të Partizani kanë qenë të shpeshta dhe të kuqtë pavarsisht se kryesojnë kampionatin vetëm me një humbje, kanë vuajtur mungesat e lojtarëve, kryesisht titullarë. Sulmuesi Mensah dhe mesfushori Engjëll Hoti mungojnë prej disa javësh ndërsa së fundmi janë kthyer në stërvitje me grupin.
Teksa jemi 8 ditë para derbit, stafi teknik i Partizanit sheh orën tek i afrohet ndeshjes dhe dëmtimet vazhdojnë akoma. Paolo Buxhelaj, i cili u grumbullua për herë të parë nga Kombëtarja U21, ka një mbingarkesë muskulore dhe është kthyer në klub për të marrë trajtimin e duhur dhe i duhen disa ditë pushim.
Dëmtimin e Tedi Cara e dimë të gjithë, sulmuesi u godit me sende të forta gjatë ndeshjes në Kukës dhe pas qepjes së të çarave pret rikuperimin e plagëve përpara Tiranës. Victor Da Silva është lojtari tjetër që rrezikon ndeshjen e 2 tetorit pas problemeve fizike të cilat e lanë jashtë Kukesit dhe stërvitjeve të Demave.
Shërbimet e tre lojtarëve shihen si të rëndësishme për trajnerin Colella që beson te cilësitë e tyre. Mbetet të shihet nëse lojtarët do t’ja dalin të jenë në gjendje të duhur fizike për të luajtur derbin e parë këtë sezon të ri.