
Sikurse u paralajmërua nga nwsport.al, ditën e djeshme në ambientin e "Resortit Tropikal", në Durrës klubi i Skënderbeut ka zhvilluar një mbledhje e cila është drejtuar nga presidenti i klubit, Ardjan Takaj, i cili ka përfituar nga momenti që të gjithë ishin të pranishëm ër t'iu dhënë disa këshilla dhe mbi të gjitha siguri për të ardhmen.
Në mbledhjen e zhvilluar, "numri 1" i klubit korçar është shprehur se dy humbjet e radhës, sidomos ajo ndaj Flamurtarit në gjysmëfinalen e Kupës, ka mërzitur tej mase atë por jo vetëm. Ai ka kërkuar që ndryshimi të nisë që nga takimi i ardhshëm, duke iu kërkuar dy gjëra të tijve. E para ka të bëjë me kualifikimin në Kupën e Shqipërisë dhe e dyta fitimin e titullit kampion.
Këto kanë qenë dy kërkesat e Takajt në mbledhjen e zhvilluar, ndërkohë që iu ka dhënë garancinë lojtarëve dhe stafit teknik lidhur me çështjen e pezullimit nga Europa, vendim që u mor para pak ditësh nga UEFA.
Lidhur me këtë cështje, presidenti i korçarëve ka konfirmuar se gjithçka po ndiqet nga afër, hap pas hapi dhe se klubi ka nisur një betejë ligjore, ku presidenti beson se në fund klubi do marrë pafajsinë. Takaj ka konfirmuar me besim të plotë se gjithçka do i shkohet deri në fund dhe se nuk do të lejojë askënd të çojë dëm djersën dhe mundin e lojtarëve.