Shkarkimi i Stavri Nicës ishte një befasi në kampionatin shqiptar. Laçi mori vendimin për ta larguar nga stoli trajnerin e njohur pas barazimit me Erzenin në shtëpi në ndeshjen hapëse të kampionatit. Megjithatë, stoli nuk mbetet bosh teksa drejtuesit nuk kanë ndërmend të vonohen gjatë.
Bardhezinjtë kanë gjetur menjëherë zëvëndësuesin dhe do t’i besojnë një figure të njohur të futbollit shqiptar. Skerdi Bejzade do të jetë kreu i ri i pankinës së kurbinasve, raporton shtypi i shkruar. ‘Arusha’ e futbollit shqiptar rikthehet edhe një herë të jetë protagonist në lojën e bukur tashmë nga stoli.
E veçanta e kësaj është që Bejzade do të debutojë kundër Partizanit, piëkrisht ish skuadrën e tij me të cilën ka luajtur por edhe ka trajnuar. Në Shqipëri ka drejtuar edhe Kamzën ndërsa prej një dekade është zhvendosur në Gjermani ku trajnon një akademi ndërsa në vitet 2019-2022 ishte trajner i Arminia Hannover.