
Abissnet Superiore luan ditën e sotme të gjithë ndeshjet e javës së 34-t. FSHF ka vendosur që sfidat e programuara të fillojnë të gjitha në të njëjtin orar, në orën 17:15.
Partizani udhëton në transfertën e Rrogozhinës për të luajtur përballë Egnatias. Të kuqtë kërkojnë pikë për Europën pasi mbajnë vendin e katërt, ndërsa Egnatia e vendit të tetë dëshiron t’i shpëtojë “play out”. Në sfidën tjetër Kastrioti pret Teutën në Kamëz. Të dyja ekipet janë në pikë të barabarta në vend të 6 e 7 dhe nuk e ndjejnë shumë presionin e ekipeve poshtë. Durrsakët kanë shprehur dëshirën e Europës.
Tirana tashmë kampione pret në “Selman Stërmasi” Vllazninë, që ka marrë vendin e tretë dhe kërkon ta sigurojë Europën nga kampionati. Kukësi ndërkohë luan në shtëpi ndaj Dinamos thuajse të rënë, për të provuar shpresat e fundit për Europën.
Sfida e pestë dhe e fundit është mes Skënderbeut dhe Laçit në Korçë. Ndeshje pa objektiva, pasi Laçi e ka siguruar vendin e dytë, ndërsa Skënderbeu ka rënë nga kategoria.
JAVA 34, ORA 17:15
EGNATIA - PARTIZANI
KASTRIOTI - TEUTA
TIRANA - VLLAZNIA
KUKËSI - DINAMO
SKËNDERBEU - LAÇI