Korabi do të luajë në Superiore për sezonin 2016-2017, ndërsa nuk është organizuar ende dhe nuk ka as trajner dhe as lojtarë. Të gjithë futbollistët e sezonit të shkuar janë pa kontrata, ndërsa po projektohet caktimi i trajnerit të ri, i cili mendohet se do të jetë Artan Mërgjyshi. Por, për "newsport.al" drejtori i klubit Fehmi Mëziu, i cili më parë ka mbajtur dhe postin e presidentit të skuadrës, ka qartësuar situatën si dhe objektivat për sezonin e ardhshëm.
Mëziu iu ka garantuar tifozëve se skuadra do të jetë e fortë dhe do të garojë në Superiore për të arritur në majat e futbollit, ndërsa sqaron situatën e sponsorizimit të klubit dhe mënyrës sesi do të funksionojë në vitin e saj të parë në elitën e futbollit shqiptar.
Si po ecën puna për Korabin e ri në Superiore?
- Ne po punojmë çdo ditë që të jemi gati, çdo gjë po shkon sipas planit, dhe shumë shpejt do fillojmë me formimin e ekipit.
Skuadra do të rindërtohet apo do të ruhet boshti i ekipit?
- Ekipi do të ketë ndryshime me afrime të reja cilësore, por sigurisht do të ruhet edhe boshti i ekipit, pasi besojmë edhe te lojtaret që na sollën deri këtu.
A do të jetë Artan Mërgjyshi trajneri i ri?
- Ne jemi në bisedime me disa trajnerë, por ende nuk kemi vendosur zyrtarisht se kush do të jetë timonieri i ekipit, por ju sigurojmë që shumë shpejt do ta mësoni se kush do të jetë.
Kush do ta sponsorizojë skuadrën?
- Klubi do të financohet nga Bashkia në bashkëpunim me donatorët. Materialet sportive janë sponsorizuar nga kompleksi 'Eiba', një biznes privat në Peshkopi.
Bashkia ju ka premtuar fond për sezonin e ardhshëm?
- Po bashkia na ka premtuar për fondin pasi është edhe përgjegjëse kryesore për mbarëvajtjen e klubit.
Çfarë do të bëhet me dënimin e fushës. Është problem të luani një vit pa tifozë dhe larg Peshkopisë?
- Përsa i përket dënimit të fushës kemi kontaktuar Federatën për këtë çështje që dënimi të ulet, sepse duket shumë absurd si dënim. Sigurisht të luajmë jashtë Peshkopisë dhe pa tifozë është një vështirësi shumë e madhe pasi tifozeria jonë, janë katalizatori kryesor për arritjet që kemi bërë deri tani.
Ku do t'i zhvilloni ndeshjet?
- Jemi në bisedime, ende nuk është vendosur, por sigurisht do bëjmë ç'është më e mira për klubin, dhe në ditët në vazhdim do të vendosim edhe për këtë çështje.
Po fazën përgatitore dhe përgatitjet më pas?
- Ekipi do të grumbullohet në Peshkopi, duke parë edhe kushtet atmosferike, mendojmë që janë të përshtatshme për të kryer fazën përgatitore.
[caption id="attachment_8460" align="alignleft" width="300"] Skuadra dibrane gjatë sezonit të shkuar[/caption]
Cilët janë lojtarët që keni piketuar?
- Sigurisht që ekipi ka nevojë të përforcohet, dhe ne jemi në bisedime me disa lojtarë me ekperiencë në Superiore, por ende nuk janë hedhur firmat, që mendojmë që shumë shpejt do t'i zyrtarizojmë.
Një mesazh për tifozët e Peshkopisë?
- Sigurojmë tifozerinë që Korabi po bën më të mirën për të qenë një ekip serioz dhe i denjë për Kategorinë Superiore. Ata duhet të besojnë te ne siç kanë bërë deri tani, dhe sigurisht nuk do ti zhgënjejmë.