Prej 4 vitesh në Shqipëri zhvillohet kampionati amator i futbollit, "Sunday League Albania", i orgaizuar nga FSHF për t'i dhënë mundësi kujtdo që të jetë pjesë e një kompeticioni ku garohet për trofe, e sidomos atyre që ëndrrën e futbollit nuk mundën ta realizonin.
Për të qenë pjesë e Sunday League Albania është shumë e thjeshtë, mjafton të kesh dëshirë për të luajtur futboll. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse në këtë kompeticion kanë marrë pjesë dhjetëra ekipe dhe mijëra futbolldashës, të cilët kanë treguar se mjafton pak organizim, për të bërë diçka magjike. Të rinj, të vjetër, amatorë por edhe shumë ish-futbollistë, madje edhe ish-lojtarë të kombëtares shqiptare i janë bashkuar këtij kompeticioni, duke i dhënë edhe më shumë bukuri dhe seriozitet.
Viti i parë ishte edhe më i vështiri, duke patur parasysh se ishte diçka e re në vendin tonë, por falë seriozitetit të FSHF-së dhe vetë pjesëmarrësve në këtë kompeticion, gjithçka u bë më e bukur dhe më e lehtë, duke i hapur rrugë zhvillimit të këtij kompeticioni në çdo edicion. Fituesit e parë të Sunday League Albania ishin PRESTIGE MFC, një ekip që ta cilësosh "amator" është gabim, pasi pa frikë mund ta themi se janë një ekip profesionist, nisur nga cilësia e ekipit, sponsorizimi dhe paraqitja brenda dhe jashtë fushe.
Një tjetër ekip që meriton duartrokitje është edhe Roamel, fitues 2 herë i këtij kompeticioni, ndërkohë që bukurinë këtij kompeticioni ia kanë shtuar edhe ekipe si ATS, Primo MFC, Nova dhe Dajti. Përsa i përket këtij viti, kompeticionit i janë shtuar disa ekipe nga qytete të tjera, ku ekipi shkodran Panthers deri më tani ka treguar një nnivel të lartë loje, duke fituar 4 ndeshjet e para që ka luajtur. Shumë prej ekipeve që marrin pjesë në SLA kanë edhe sponsora, të cilët i mbështesin për bazën materiale, ndërkohë që në ekipet e tjera janë vetë futbollistët që kontribuojnë për të qenë pjesë e kompeticionit.
Por ajo që e bën edhe më të bukur Sunday League Albania është prania e tifozëve. Nëse në ndeshjet e futbollit profesionist në Shqipëri shpeshherë i shohim tribunat bosh, në SLA ndodh e kundërta. Tribunat janë plot me futbolldashës, të cilët vijnë të mbështesin miqtë e tyre, madje ka edhe tifozëri të organizuara që brohorasin gjatë gjithë ndeshjeve.
Në fund, gjithçka është miqësore. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij komuniteti janë bërë miq me njëri tjetrin, pasi ky është edhe synimi i futbollit, të bashkojë njerëzit. Ky komunitet i madh i futbollit amator në Shqipëri po rritet dita ditës, duke "sfiduar" edhe kampionatet profesioniste.