
Giacomo Vrioni u pa në fillim si një sulmues premtues i Kombëtares sonë. Ai po shënonte rregullisht kur ishte pjesë e Tirol në Austri ku ishte në huazim pasi kartoni i tij ishte nën zotërimin e Juventus. Në Austri ai shpërtheu ku në 28 ndeshje shënoi 19 herë dhe asistoi 4 herë për shokët e ekipit.
Por me transferimin e tij në SHBA tek New England Revolution duket se sulmuesi e ka humbur “shkëlqimin” e tij pavarësisht se ka shënuar kohët e fundit. Gjithsesi në 10 ndeshjet e fundit Vrioni ka shënuar 5 gola, por përsëri nuk janë shifra marramendëse. Problem mbetet cilësia që kampionati i MLS (Major League Soccer) ka. Një rendimet i ulët dhe që nuk njihet për një futboll të klasit të lartë.
Ndoshta është kjo ajo ç’ka e ka penalizuar një “yll” që dukej në rritje dhe shumë premtues për futbollin shqiptar dhe Kombëtaren tonë. Madje pavarësisht se Vrioni është lënë në hije për shkak se nuk është në një ekip le të themi elitar, kohët e fundit ai është shprehur se nuk e ka ndërmend të ndryshojë ekip, të paktën edhe për këtë sezon pasi ndihet shumë i lumtur në kontinentin amerikan.
Në krahun tjetër me Armando Brojën jo në 100% të formës së tij, Giacomo mbetet përsëri një opsion për Sylvinhon. Por gjithsesi 24-vjeçari do ta ketë edhe më të vështirë të “zërë” vendin e titullarit tek kuqezinjtë e Sylvinhos, duke parë formën e mirë që po kalojnë sulmues si Uzuni, Xhixha, Muçi apo ardhjet e reja që pritet ti bashkohen Shqipërisë si Arbnor Muja apo Mirlind Daku.
Gjithsesi vlerat e tij mbeten dhe dihet potenciali që Vrioni ka, por sigurisht futbolli europian mbetet prioritet dhe më i vlerësuari.