
Tekniku Skënder Gega doli sot në konferencën për shtyp përpara takimit të së shtunës më Kamzën. Numri 1 i pankinës së të kuqve foli dhe për takimin e kaluar me Skënderbeun, ku theksoi se ekipi nuk e interpretoi mirë ndeshjen. Ndër të tjera ai foli dhe për merkaton ku premton se do të punohet deri në orën e fundit, ndërsa mohoi kategorikisht që Kamza do t'i bënte dhuratë të kuqve duke i kthyer borxhin e një viti më parë, kur iu larguan zonës së rënies nga Kategoria Superiore.
"Merkato s'ka mbaruar. Po punojmë deri ditën e fundit në reparte të ndryshme. Varet ça kërkesash kanë lojtarët. Kemi nevojë për futbollistë që të na ndihmojnë në progresin që duhet të bëjmë. Partizani sulmues do e shohim kur të kemi sulmues. Edhe unë kam qejf ndeshje të hapur. Por është e vështirë të mbash një ndeshje për 90 minuta duhet t'u japësh besim lojtarëve, të shtysh përpara ata që s'kanë mundësi. Ne kemi sulmues, por jemi në proces e sipër duke punuar çdo ditë. Personalisht nuk kam marrë pjesë në këtë lloj bamirësie. Më mirë do të dëshiroja të humbisja sesa të përzihesha në marrëvshje dashamirësie. Dua të marr nga lojtarët 100%. T'ia lëmë fushës, nëse Kamza e meriton fitoren, le ta marrë. Duhet të marrim maksimumin. Duhet të jemi profesionistë. Është presion, është për të ulur vëmendjen dhe për t'u marrë me gjëra anësore", deklaroi 54-vjeçari.