
Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi masiv me thikë në Itali. Mediat në vendin fqinj raportojnë se një burrë ka sulmuar disa persona brenda një Milanofiori të Assago, pak jashtë Milanit.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 18.30, ku kanë mbetur të plagosur gjashtë persona, katër me “kod të kuq”. Një burrë, arkëtar i supermarketit, ka ndërruar jetë teksa po transportohej për në spital, ndërsa në vendin fqinj bëhet me dije se mes të plagosurve është edhe lojtari i Monzas, Pablo Mari, i huazuar nga Arsenali.
Sulmuesi, një 46-vjeçar italian, tashmë është ndalur nga karabinierët e Korsikos. Gjithashtu sipas një rindërtimi fillestar, sulmuesi – i cili kishte një problem me depresionin dhe i ishte nënshtruar trajtimit të detyrueshëm shëndetësor – rrëmbeu një thikë nga raftet e supermarketeve dhe goditi njerëzit, me shumë gjasa të zgjedhur rastësisht.
Klientët e tjerë kanë reaguar menjëherë dhe e kanë ndaluar, duke ia dorëzuar karabinierëve.
“Ishim në lokal dhe menduam se ishte një grabitje sepse pamë disa djem dhe një zonjë duke vrapuar, më pas pamë gjithnjë e më shumë njerëz me fytyra të mërzitura dhe kuptuam se kishte ndodhur diçka e rëndë”, kështu ka thënë një e re që ishte në lokalin në qendër.