
Stiven Shpendi është një tjetër lojtar shqiptar që ka shkëlqyer sezonin që u mbyll në Itali. Sulmuesi i kombëtares U-21 ka arritur të marrë vëmendjen e disa ekipeve italiane dhe në këtë merkato duket që e ardhmja e tij të jetë në Serie A.
Juventusi ishte një nga ekipet që kishte interes, ndërsa Empoli ka arritur marëveshjen me Cesenan për shifrën e 2 milionë eurove dhe mbajtjen e 30% të kartonit të lojtarit. Sigurisht për Shpendin ky do të ishte një hap i madh në karrierën e tij, pasi do të luante mes më të mirëve në Serie A.
Por për të tunduar Cesenan dhe për të bllokuar transferimin te Empoli ka menduar Pisa, e cila ka ofruar 2.5 milionë euro për shërbimet e tij. Skuadra që zotëron kartonin e sulmuesit është e prirur të pranojë ofertën e Pisas që luan në Serie B, por nga krahu tjetër vetë Shepndi dëshiron Empolin.
Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cila do të jetë e ardhmja e talentit kuqezi, i cili në 5 ndeshje me kombëtaren U-21 ka arritur të gjejë edhe 2 herë rrugën e rrjetës. Ndërsa kujtojmë se këtë sezon me Cesenan ka shënuar 12 gola.