
Erzeni ishte një nga skuadrat më simpatike gjatë dy fazave të para të kampionatit, ku arritën që të renditeshin në gjysmën e sipërme në tabelën e klasifikimit. Shijakasit pësuar një rënie gjatë dy fazave të tjera, ku pas 32 ndeshjes të zhvilluara kanë grumbulluar 39 pikë dhe mbajnë vendin e 7-të.
Skuadra e Xhevahir Kapllanit ka pësuar 9 humbje, po aq sa Tirana, Partizani dhe Egnatia që mbajnë 3 vendet e para në klasifikim. Shijakasit kanë arritur të sigurojnë 8 fitore, ndërsa kanë numrin më të lartë të barazimeve.
Plot 15 ndeshje kanë përfunduar në barazim, duke bërë që skuadra e Kapllanit të ndale hapin e saj. Gjatë këtij kampionati kanë arritur të shënojnë 32 gola, ndërsa kanë nxjerrë topin nga rrjeta në 41 raste. Në 13 ndeshjet e fundit, shijakasit kanë siguruar 1 fitore, 7 barazime dhe 5 humbje, duke rrezikuar tashmë edhe mbijetesën. Kanë mbetur edhe 4 sfida drejt fundit, ndërsa pengesa e radhës është Bylisi, duel direkt për mbijetesën.