Përveç pjesëmarrjes për herë të parë dhe historike të Kombëtares tonë në një kampionat Europian, një gjë e tillë ka ndodhur edhe për Policinë e Shtetit Shqiptar. Ekipi jonë Kombëtar i ka dhënë shansin që policët të marrin një kulturë tjetër për të organizuar një takim futbolli, teksa policët të zgjedhur nga Shqipëria janë ftuar nga Ministria e Brendshme e Francës për t’u instruktuar, por edhe të vihen në praktikë gjatë zhvillimit të ndeshjeve të Kombëtares tonë. Kanë marrë pjesë në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në takimin e zhvilluar në Lens mes Zvicrës dhe Shqipërisë, ndërsa do të jenë prezentë dhe në dy ndeshjet e tjera.

“Por, që prej ditës së sotme policët shqiptarë janë zhvendosur në Marsejë, aty ku do të luhet takimi mes Francës dhe Shqipërisë ditën e mërkurë në orën 21:00. Në këtë qytet situata nuk është normale për shkak të incidenteve të ditëve të fundit mes tifozëve anglezë dhe rusë, por edhe se informacionet e marra nga policia janë se aty mund të ketë edhe përplasje të tjera. Kështu, policia është përqëndruar në këtë qytet, ndërsa të deleguarit shqiptar janë në mbikëqyrje të situatës dhe në ruajtje të Kombëtares kuqezi. Lajmi i mirë që vjen nga policia shqiptare që ndodhet në Francë është se Shqiptarët nuk janë evidentuar si popull problematik, ndaj situata vijon të jetë e qetë. Në qendër të vëmendjes janë tifozeritë e zjarrta dhe që kanë në përbërje huliganë”, kështu bëjnë me dije informacione pranë policisë shqiptare në Francë.

Në futbollin shqiptar kanë ndodhur shpesh incidente të ndryshme, ku më tragjiku ishte ai i Vlorës disa javë përpara se të mbyllej kampionati, ku një tifoz u shty nga uniformat blu dhe humbi jetën. Shpresojmë që ky Europian të shërbejë më së miri për Policinë e Shtetit, sidomos për ata policë që vendosen në gatishmëri të ndeshjeve në stadiume, për të treguar durim dhe inteligjencë për të përballuar turmat e tifozëve.
