
"Kam qenë trajner i Modriçit kur luante me 17-vjeçarët. Pastaj në Shqipëri kam stërvitur Keidi Baren. Mund të them se në atë moshë Bare ishte më i mirë se Modriç". Kjo ka qenë një nga deklaratat e trajnerit Xhemal Mustedanagiç në kohën kur drejtonte kombëtaren tonë U17 dhe padyshim që bëri bujë në atë kohë për krahasimin e lojtarit kuqezi, me një prej mesfushorëve më të mirë në botë.
Fituesi I topit të artë ka kaluar në sitën e ish trajnerit tonë, që sot drejton pragramin për gjetjen e talenteve pranë FSHF-së. Në atë kohë dikush edhe mund të ketë qeshur, apo më e pakta mund të ketë qenë mosbesues; por e sotmja i jep të drejtë trajnerit kroat.
Keidi Bare luan me Malagan në ligën e dytë spanjolle. Futbollisti që është rritur në moshat e Atletiko Madrid, ka surprizuar këdo me paraqitjet e tij, duke u bërë pika kyçe e mesfushës së Kombëtares sonë. Edi Reja I ka besuar atij çelësat e mesfushës, duke I dhënë besim të madh fierakut.
Me Malagan këtë sezon, 22 vjeçari ka zhvilluar 12 paraqitje, pothuajse çdo takim të mundshëm nëse nuk do të kushtëzohej nga dëmtimet. Me këmbnguljen dhe qetësinë që e karakterizon, Bare shihet si e ardhmja e kuqezinjve për të paktën 10 vitet e ardhshme.
Në ndeshjet e fundit me Kombëtaren, ndaj Turqisë dhe Moldavisë ai luajti minutat e tij. Reja i besoi mesfushën dhe Keidi jo vetëm zhvilloi një paraqitje prej lideri, por impresionoi me lëvizjet e tij. Ndaj Moldavisë në transfertë, do të gjente edhe rrugën e rrjetës; që do të ishte një lloj shpërblimi për punën e madhe. Kujtojmë se me moshat U21 ai mbante edhe shiritin e kapitenit. Duket se për dhjetë vitet e ardhshme, mesfusha kuqezi do të jetë në duar të sigurta.