
“Mos e përzini politikën me sportin”, kjo është shprehja e famshme që shoqëron vit pas viti, fushatë pas fushate sportin, shqiptar e të huaj. Mirëpo, në vetvete sporti, futbolli në rastin tonë, është politikë. Për tifozët është një lojë e bukur që fillon e mbaron në 90 minuta mes brohorimave, golave, festës e hidhërimit. Por, sa e sa hallka fshihen pas atyre 90 minutave e dinë shumë mirë protagonistët kryesor të kësaj loje.
Ashtu si në politikë, ku ‘loja’ më e madhe luhet prapa kuintave për t’u shfaqur më pas para ekranit me një paraqitje ndoshta të shtirur, por në dukje perfekte dhe hyjnore, ashtu edhe në futboll, puna e një jave të tërë ‘derdhet’ në 90 minuta lojë. Ama këtu është gjithçka e pastër, janë 11 burra kundër 11 të tjerëve dhe fiton ai që shënon më shumë, kaq e thjeshtë. Njëjtë si në kohërat e lashta kur konfliktet zgjidheshin shpatë më shpatë, e sy për sy përballë njëri-tjetrit.
Epo, ato kohë janë të lashta, sot është shumë më ndryshe. Në ditët e sotme, mënyra më e lehtë për të ngritur emrin tëndë është të ulësh atë të tjetrit, pasi është një rrugë më e lehtë për të qenë në ‘majë’. Jo më kot ekziston shprehja: Çdo publicitet është një publicitet i mirë. Në ditët e sotme nuk ka rëndësi nëse emri yt përdoret për keq apo për mirë, nëse shkruhet në media, ti je kryefjala. Po i miri? I miri merr thjeshtë një urim, një rrahje e shpatullave dhe më pas mirupafshim.
Njëjtë si në komedinë e famshme shqiptare ‘Milioneri’ me të paharrueshmin Koço Devole dhe të madhin Bujar Asqeriu. Koço, fshatari i thjeshtë kishte disa toka të trashëguara e kërkonte ndihmën e shtetit, Bujar Asqeriut, për të bërë letrat. Koço, me të drejtën e gjithë botës shkonte në zyrën e shtetit për të kërkuar atë që meritonte, ndërsa si përgjigje merrte lajkat e Bujarit i cili i thonte gjithmon, “Ti me aq tokë sa ke je milioner”. E batuta e paharrueshme e Koços që i kthehet, “Ore mirë që jam milioner, po lekët ku janë?”
Koço në rastin tonë është Ilir Daja, trajneri i cili ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në futbollin shqiptar duke dërguar flamurin kuqezi, por edhe atë të Kosovës në majat e futbollit europian. Fatkeqësisht për disa, këto arritje po ndodhin shpesh kohët e fundit dhe është Daja që nuk ngurron t’u kujtojë se standarti i futbollit shqiptar ulet e ngrihet sipas asaj që cakton vetë 5 herë kampioni i Shqipërisë dhe Kosovës me plot 4 skuadra të ndryshme.
Aty ku Daja shkel, nëse i jepen ‘farat’ që ai kërkon, aty dalin edhe frutet më të mira. Kjo është fakt, faktet janë numra dhe numrat flasin vetëm për Ilir Dajën. Nga këto numra, ka disa njerëz si Ismet Munishi, të cilët mundohen të kapin diçka për të bërë të mundur që emri i tyre të mos harrohet sepse të jesh i harruar është shumë herë me e rëndë se të jesh i dështuar. Imagjino më pas t’i kesh të dyja…
Këto situata i shohim rëndom në gjendjen politike shqiptare. Kemi qeverinë me në krye kryeministrin Edi Rama që çdo skandal, çdo burgosje, çdo aferë korruptive ia faturon opozitës, ndërkohë që kjo opozitë ka nja 10 vite të mira që nuk sheh pushtet me sy. Kur themi opozitë, as vetë nuk e dimë për kë e kemi fjalën pasi ajo që supozohet të jetë shtytësi më i fortë i qeverisë, është në një luftë të ashpër me ‘vetveten’. Duket se në Shqipëri, gara më e fortë është për të qenë i dyti sesa i pari. Ndërkohë që qeveria, opozita e ‘Ismet Munishat’ qëndrojnë në vendnumëro, Ilir Daja i ka sytë tek kualifikimi i 3-të në grupet e një kompeticioni europian dhe te titulli i 6-të kampion. Ngritja e futbollit shqiptar ecën paralelisht me emrin e Ilir Dajës, është ai që mban pishtarin për të ngritur në një tjetër nivel rolin e trajnerit. Jemi mësuar të dëgjojmë fjalë si ‘shkolla italiane e futbollit’, ‘shkolla gjermane, spanjolle, angleze e pafund, ama “Mësenjëtorja” e futbollit shqiptar do të hapet nën emrin e Ilir Dajës./Gledi FEJZA/