
Nesër, do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, teksa Tirana do të presë Teutën në "Air Albania Stadium". Para kësaj sfide, ka dhënë një prononcim për mediet, trajneri kampion Emanuel Egbo.
Si gjithmonë nuk preferon të krijojë polemika duke e thënë hapur që e vlerëson kundërshtarin e tij, ndërsa është ndalur te një temë e nxehtë si çështja e racizimit.
Tekniku bardheblu është përmendur për ditë me radhë për deklaratën e dhënë për mediet e huaja, që në vendin tonë mori konotacion krejt tjetër. Egbo thekson për të fundit: "E përdorën si deshën". Në fund tregon diferencat mes Teutës dhe Tiranës.
- Sa e keni vlerësuar Teutën?
E kemi vlerësuar maksimalisht. U kam thënë dhe çunave që të jenë mjaft të përqëndruar. Ky është objektivi i radhës. Edhe për çunat do të jenë diçka e veçantë nëse arrijmë t'i marrim si kampionatin por dhe Kupën nesër. Ka shumë gjëra aty brenda, nuk e shoh si thjesht si një trofe. Objektivi është marrja e fitores.
- Cilët lojtarët nuk janë të gatshëm për nesër?
Muçi ka pak probleme, por edhe disa lojtarë të tjerë. Do t'i shohim deri nesër.
- Çfarë ka ndodhur te Tirana?
S'ka asgjë për t'u shqetësuar. Jemi si një familje dhe çdo gjë e zgjidhim brenda familjes. Jemi si vëllezër. Si ajo e djeshmja ka ndodhur edhe më parë. Por nuk ka dalë. Nuk ka pse del sepse një familje i zgjidh vetë gjërat. Në një familje zihen të gjithët, por i zgjidhin pastaj. Më trego një familje që nuk ka debate. Në ekip ka harmoni dhe tolerancë mes njëri-tjetrit.
- Do na e sqarosh edhe njëherë për të fundit herë se për çfarë bëhet fjalë për pjesën e "bananes"?
Nuk e di si kam thënë. Kam tentuar ta sqaroj. Sa kam mundur. Unë mund ta them kështu, e kanë marrë për interesat e tij për lajme ose për diçka tjetër. Kam 20 vite këtu. Ky episod ka ndodhur shumë kohë më parë. Unë e kam mbyllur si kapitull. Edhe lojtarët e tjerë këtu kanë folur nëse ka ose jo racizëm. Unë e kam sqaruar. Nuk ka shanse që të them që shqiptarët të jenë racistë. E kam shpjeguar. Përderisa ka njerëz të këqinj, ka edhe të mirë. Shumë më kanë trajtuar mirë. Unë jam mjaft komod këtu. Unë s'do të isha te Tirana sot nëse do kisha thënë ashtu. Unë e kam mbyllur si muhabet. Unë e kam tentuar gjithë kohën për ta shpjeguar. Ata që e kanë nxjerrë jashtë kontekstit, e kanë bërë për interesat e veta.
- Çfarë ka Tirana më shumë se Teuta?
E dimë që ata e vlerësojnë sepse kanë 100 përqindëshin. Por, unë jam i bindur te aftësitë e skuadrës sime. Nëse japim maksimumin, atëherë do të marrim rezultatin që duam, pra do ta fitojmë edhe këtë trofe.