
Skënderbeu dhe Kukësi kanë zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që u zhvillua në Korçë, përfundoi me fitoren minimale 1-0, të vendasve. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Ermir Rashica në minutën e 5’. Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic.
“Jam i kënaqur me fitoren, sepse sot ishte e vështirë. Fusha ishte e vështirë dhe në pjesën e dytë ishte shumë ftohtë, por pas fitores jam i kënaqur. Për mendimin tim Kukësi e tregoi që është ekip i mirë dhe i uroj suksese Kukësit në vazhdimësi”, u shpreh fillimisht Gvozdenovic.
“Ndoshta kjo është ndeshja më e keqe nga ne, por fituam pikët. Nuk kishim shumë raste për gol në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishim më agresivë. Mund të them që sot nuk ishte ndeshje e mirë nga ne”, tha më tej trajneri i Skënderbeut.
“Ideja ishte sepse në pjesën e parë nuk ishim mirë në mesfushë. Dumfur nuk ishte mirë si mesfushor. Kur ishte koha për pushim menduam të ndryshonim sistemin dhe donim golin e dytë. Por kishim frikë se mos pësonim”, e mbylli fjalën e tij tekniku.