Është mbyllur faza e parë e kampionatit, teksa ekipet tashmë po përgatiten për një tjetër fazë edhe më të “zjarrtë” dhe të luftuar. Java e 10-të e Superiores do të luhet në dy ditë, teksa ekipet do të zbresin në fushë të premten dhe të shtunën.
Gjithçka do të startojë me sfidën Kukësi – Vllaznia, takim ky që do të luhet në “Kukës Arena” duke nisur që nga ora 14:00 e ditës së premtes. Si verilindorët ashtu edhe shkodranët vijnë pas fitoreve në javën e 9-të dhe do të përplasin “brirët” për një tjetër 3 pikësh.
Ndërkohë në po të njëjtën ditë do të luhet edhe në kryeqytet. Erzeni do të presë Laçin në “Arenën e Demave”. Ndeshja do të nis në orën 17:00, ku si shijakasit ashtu edhe kurbinasit synojnë rikthimin te fitorja në kampionat.
Të shtunën do të luhen 3 takimet e mbetura. Tirana do të presë Dinamon në “Selman Stërmasi” duke nisur që nga ora 14:00. Edhe bardheblutë edhe “Nëndetësja” kanë detyrim vetëm fitoren për të mos vështirësuar akoma më shumë situatën në tabelën e klasifikimit.
Në orën 17:00 do të zhvillohet dueli mes Skënderbeut dhe Egnatias. Një duel interesant që do të luhet në Korçë, ku përballë “Ujqërve të Dëborës” vihen kryesuesit e kampionatit. Paralelisht do të luhet edhe në kryeqytet. Teuta dhe Partizani do të duelojnë mes tyre për 3 pikët e javës së 10-të me sfidën që do të zhvillohet në “Arenën e Demave”, për shkak se në “Niko Dovana” është bërë mbjellja e barit të fushës.
[caption id="attachment_710296" align="alignnone" width="683"] Ndeshjet e javes se 10-te te Superiores[/caption]