Vllaznia këtë sezon e ka nisur me pretendime “Abissnet Superiore”. Shkodranët synojnë të jetë një nga kandidatët për titullin.
Që të arrihet te trofeu, drejtuesit shkodranë kanë vendosur t’u besojnë “produktit” vendas. Në dy javët e para kuqeblutë kanë siguruar 4 pikë. Fituan ndaj Kukësit dhe u ndalën në barazim me Erzenin. Pikërisht në duelin me shijakasit, në formacionin titullar të Vllazninë ishin plot 7 shkodranë.
Qarri në portë, për të vazhduar me krahët e mbrojtjes me Smajlin dhe Hakajn. Mesfusha i përkiste Alivodës, ndërsa në sulm u vendosën Gruda e Çoba, teksa maja e sulmit ishte në pronësinë e Balajt. Kjo bëri që ky duel të “fliste shkodranshe”, ndërsa nuk duhet harruar se si zëvendësues u përdorën edhe Pusi dhe Sala. Në total 9 lojtarë.
Tashmë stafi dhe drejtuesit besojnë te produkti “bio” shkodran për të aritur te sukseset këtë sezon. Kjo është diçka e veçantë, pasi në 3-4 vitet e fundit Vllaznia nuk ka mundur të ketë në formacionin e saj kaq shumë lojtarë nga Shkodra.