
Sot, Skënderbeu do të luajë kundër Apolonisë, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë. Një sfidë që do të startojë në orën 15:00 dhe pritet me mjaft interes nga gjithë sportdashësit. Korçarët gjenden në vendin e parë me 38 pikë, ndërsa fierakët në të shtatin me 10 pikë më pak.
Atmosfera në kampin bardhekuq është pozitive me trajnerin Gvozdenoviç që ka arritur të krijojë një grup mjaft kompakt. Megjithatë ai u ka kërkuar lojtarëve që të qëndrojnë me këmbë në tokë për të shmangur ndonjë surprizë sikurse Dinamo, që e pësoi javë më parë nga Apolonia.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka provuar disa module loje në stërvitje. Me shumë mundësi Skënderbeu do të zbresë sot në fushë me këtë formacion titullar: Ruçi; Frashëri, Rançi, Preçaj, Idrizaj; Rapa, Lika, Liço, Moraesh, Temitope; Abubakar.
Nga ana tjetër trajneri i fierakëve, Dovedan ka skicuar 11-shen: Harizaj; Asllanaj, Ndubuisi, Repaj; Orelesi, Shanaj, Hebej, Omeri, Maksuti; Gjata, Umejiego.