Partizani prej dy javësh zhvilloi përgatitjet në Itali, por sot është zhvendosur në Elbasan, aty ku do të zhvillojnë dy seanca të tjera përgatitore për të pritur ndeshjen e parë të Raundit të Parë të Europa League kundër Slovan Bratislavës që do të luhet të martën në “Elbasan Arena”.

Por, një sërë pikpyetjesh ngrihen mbi skuadrën me 15 tituj kampionë dhe njëkohësisht nënkampionët në fuqi të Shqipërisë. Ende nuk është përcaktuar trajneri, ose më sakt diskutohet dhe pohohet nga klubi se është italiani Adolfo Sormani, por stërvitjen herë e drejton Sulejman Starova e herë ndihmësit e ish-trajnerit Andrea Agostinelli. Sa iu përket miqësoreve, vetëm një ndeshje me një ekip lagjesh që mund ta quash, pasi ndeshje serioze ku lojtarët të matin forcat, Partizani nuk ka zhvilluar .
Pra, për takimin kundër sllovakëve ende nuk është një lider në pankinë, ose më saktë klubi nuk ka bërë prezantimin e italianit, çka do të thotë se është shumë vonë dhe se po i habit të gjithë ky klub me emër të madh, që deri tashmë ka më shumë fjalë se vepra.
Nga ana tjetër është dhe merkato. Më shumë të larguar dhe të pakënaqur se të afruar dhe të prezantuar. Largohet Ditmar Bici, Arbnor Fejzullahu dhe Asjon Daja. Ndërsa të tjerë akuzojnë për pagesa të pamarra, por edhe lojtarë që nuk pranojnë të firmosin. Deri më sot vetëm Ekuban është blerje që mund të konsiderohet e tillë, por edhe shkodrani Esin Hakaj. Të tjerët mbeten vetëm dëshira të të kuqve, pasi realizime konkrete nuk ka.
Ndërsa të gjithë tifozët presin punë serioze për objektivat madhorë që duhet të ketë kjo skuadër, çdo gjë deri më sot është një dështim.