
Flamurtari ka mbyllur dje ditët përgatitore në Antalia dhe ka marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri. Fillimisht 60 minuta nga hoteli në aeroport, gati 2 orë pritje më pas dhe në fund rruga drejt Stambollit. Një tjetër dy orësh tranzit për t'u nisur drejt…Prishtinës. Këtu nis të bëhet e habitshme kjo histori.
Nëse Partizani dhe Tirana dje janë nisur drejt Tiranës, Flamurtari ka marrë rrugën drejt aeroportit të Prishtinës. Burime për neësport.al tregojnë se drejtuesit e klubit u kanë thënë se biletat kanë qenë më lirë nga ky destinacion. Prej Prishtinës më pas ka nisur rrugëtimi drejt Vlorës me autobus dhe në fund skuadra ka mbërritur vetëm në mëngjes në shtëpi.
E lodhshme dhe e çuditshme në të njëjtën kohë. Në klubin e milionerëve (kështu e quajnë vetën shpesh herë), kanë zgjedhur të shpenzojnë disa euro më pak për të sfilitur lojtarët dhe stafin teknik. Nga Antalia, në Stamboll, më pas në Prishtinë dhe më pas më tepër se 5 orë me autobus.