Franc Veliu është kthyer në një çështje të nxehtë në Vlorë. Presidenti i skuadrës kuqezi e ka ditur se Veliu ka nisur përgatitjet me skuadrën, ndërsa për "Panorama Sport" është shprehur disi i habitur kur ka mësuar se ai nuk është bashkuar me grupin.
"Pse, Franc Veliu nuk ka dalë në stërvitje? Unë e di se ai është pjesë e ekipit. Nuk di çfarë të them për këtë çështje. Kam ngarkuar trajnerin Magani që të flasë me të. Nuk e di përse ai nuk del në stërvitje kur unë i kam dhënë "OK"-ejin që lojtari të dalë në fushë. Veliu nuk ka pse të më presë mua për të diskutuar, ai duhet të nisë stërvitjen. Derën ia hapa dhe i dhashë mundësinë e rikthimit. Është puna e tij nëse ai do apo jo që të jetë pjesë e Flamurtarit. Di të them që nëse do të rikthehet, të nisë stërvitjen".
Më tej numri një i klubit kuqezi ka folur edhe për merkaton, ku tregon sesi po operohet me afrimet dhe largimet në skuadër. "Do ulem të bisedoj me trajnerin se cilët janë opsionet e tij për largimet. Siç kam thënë edhe më parë unë do të respektoj vendimet e trajnerit sepse nuk do të hyj unë në anën teknike. Jam i gatshëm të largoj çdo lojtar, edhe nëse ai është në kontratë nëse trajneri do që t'i largojë. Por, edhe për afrimet trajneri është përgjegjës. Por, unë them se ekipi është i kompletuar. Gjithashtu jam i gatshëm që të afroj çdo lojtar që do trajneri, unë ia kam lënë atij në dorë".