
"Skënderbeu do të rrëzohet nga Kategoria Superiore dhe Dinamo do të jetë skuadra që do të ngjitet në elitë", kjo është fraza që kemi dëgjuar më së shpeshti në këto ditë të nxehta të merkatos së verës. Të gjithë me sytë nga FSHF-ja që në këtë rast duket si Zot i futbollit shqiptar për të mësuar se çdo të ndodhë me fatet e këtyre dy skuadrave.
Ardian Takaj ka zbritur vetë në fushë duke luajtur bukur me top, sa në një portë në tjetrën. Ashtu sikurse komedia e famshme e Shekspirit "Shumë zhurmë për asgjë", duket se edhe këtu të ligjët marrin dënimin e merituar, ndërsa të mirët kanë një fund të lumtur. Ngjashmëria fizike e dy personave krijoi një gjullurdi të madhe në komedinë e famshme të autorit britanik.
Ndërsa këtu është krejt ndryshe, pasi Dinamo dhe Skënderbeu janë dy klube me histori jo të ngjashme. Në Korçë krenohen me arritjet në Europë, ndërsa në kryeqytet askush s'mund të harrojë se dinamovitët janë skuadra e dytë më e titulluar në Shqipëri. Në një moment kur UEFA duket si "ipci" i Shekspirit, Takaj bie në kurth dhe është gati të ndërrojë Skënderbeun me Dinamon. Të gjithë besojnë në zgjedhjet e tij dhe në Korçë janë gati ta mbështetin, mjafton të bëhet siç mendon vetë kreu i bardhekuqve.
Ngjarjet rrjedhin natyrshëm, mjaft lirshëm dhe në prapaskena është kurdisur gjithçka: Daja trajner së bashku me futbollistët që ai dëshiron. Triumfi i qenies njerëzore arrihet vetëm atëherë kur i besojmë inteligjencës dhe fantazisë, e në këtë rast Takaj besoi te aftësitë e tij për të "harruar" disi "bolbën" e madhe të UEFA-s. Në një ditë të bukur mëngjesi u ngrit dhe i "ushqeu" të gjithë me lajme të pavërteta. Ndoshta e kishte menduar mirë... Në qëllimet e tij ishte i vendosur: Skënderbeun nuk do ta linte asnjëherë.
Ditën e djeshme iu vu kapak kësaj çështje dhe klubi korçar do të vijonte të jetonte mes më të mirëve e sigurisht nën menaxhimin e zotit të shtëpisë, Ardian Takajt. Kreu i klubit së bashku me FSHF-në ngjajnë me dy personazhet e komedisë në fjalë, Beatriçja dhe Benedikti. Dy "grindavecët" mbushin me spektakël dhe batuta të kripura të ardhmen, por në rast nevoje tregojnë se dinë të jenë seriozë dhe të përkushtuar, duke i dalë për Zot me të gjitha mjetet që kanë në dorë Skënderbeut të poshtëruar. Por, prapë s'bëhet shumë zhurmë, se jeta kështu e ka. Ashtu si te komedia ku djemtë teveqelë marrin gjithmonë vajzat e mira, e njëjta gjë ndodh edhe te Skënderbeu: "Mistreci" Takaj vijon të ketë nën pronësinë e tij një "vajzë" të mrekullueshme si skuadra e Korçës. Fundi është i njëjtë ashtu si vepra e Shekspirit.
Pas shumë zhurme të krijuar, ata jetuan të lumtur dhe të buzëqeshur gjithmonë. Ndoshta një rrëzim i dënimit të UEFA-s në Gjykatën Federale të Zvicrës do t'ia kalonte veprës së Shekspirit pasi do të sillte martesën e përjetshme të Takajt me Skënderbeun. Gjithësesi, komeditë mbeten gjithmonë zbavitëse... /Retin TOKA/