Llogaritë e kualifikimit në Euro 2024 janë mbyllur, me Kombëtaren shqiptare që i duhen vetëm 2 pikë në 2 ndeshjet e rradhës për të siguruar matematikisht gjithçka. Fitorja historike ndaj Çekisë na bëri që të prekim ëndrrën e madhe dhe tani kanë nisur llogaritë për fazën e grupeve.
Sipas të gjitha gjasave, Shqipëria, duke qenë kokë grupi në kualifikuese, do të renditet në vazon e dytë në shortin që do të hidhet për përcaktimin e grupeve. Nuk do të jemi në vazon e parë sepse kriter është renditja e përgjithshme dhe kuqezinjtë janë të fundit nga ekipet kryesuese me Gjermaninë si organizator, Francën, Portugalinë, Anglinë, Belgjikën dhe Skocinë që plotësojnë vendet e vazos së parë dhe do të ndeshemi me një nga këto ekipe.
Në vazon tonë, pritet të jenë skuadra si Turqia, Hungaria, Zvicra, Austria e Sllovenia ç’ka bën që të mos përballemi me ta. Vazo e tretë është ajo më interesantja. Pavarësisht se është me e ulëta në nivel, emrat e skuadrave tregojnë të kundërtën, Spanja, Holanda, Kroacia, Danimarka, Rumania e mbi të gjitha, Serbia janë aktualisht në këtë vazo. Përballja me Serbinë në fazën e grupeve të Euro 2024 është një mundësi shumë reale.
Këto janë renditje provizore pasi faza kualifikuese nuk ka mbaruar ende dhe deri në fund mund të kemi spostime të ekipeve, por kryesisht, këto janë vazot që pritet të ndahen në shortin e UEFA-s.