Kishte ditë që përflitej se cilin ekip do të drejtonte trajneri Shpëtim Duro. Ish trajneri i Partizanit , Vllaznisë, Laçit, Skëndërbeut, Shkëndijes dhe Egnatias është zyrtarizuar ditën e sotme tek skuadra e Strugës në Maqedoninë e Veriut. Është vetë klubi shqiptar në rrjetet sociale që e ka bërë të ditur një lajm të tillë. Timonieri ka qenë sot në Strugë për të nënshkruar kontratën e re.
Duro ka qenë pjesë e Egnatias në këtë sezon dhe u largua nga klubi gjatë janarit. Kjo është hera e dytë që ai drejton një ekip nga Maqedonia e Veriut, pasi më përpara ka qenë pjesë e Shkëndijes së Tetovës. Struga renditet e para në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. 63-vjeçari do të debutojë në stolin e Strugës javën e ardhshme ku përballë do të ketë Shkupin.