Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale lidhur me veshjet e vajzave në ekranet televizive, ndërsa i ka cilësuar veshjet e prezantueseve të sportit si veshje diskotekash e plazhesh.
VAJZAT E KUJT SPORTI? Nga Flutura Açka
Të jetë kjo zhveshje në programe kryesisht për burra - programet e sportit në tv shqiptare - nje zgjedhje e tyre? Apo e shefave të tyre? Vajzat e sportit i drejtojnë këto programe, besoj unë, sepse e njohin fushën e tyre, jo të jenë objekt që t'u kujtojë lukunisë, ndonjëherë shumë të uritur, çfarë u mungon.
Dhe të zgjuar nga adrenalina e lojës, hedh sytë te e bija, te e shoqja, të fqinja, te sekretarja, dhe përdhunimi i duket sport i tij. Në 20 vjet në Hollandë, nuk më ka zënë syri kurrë, komentatore sporti të zhveshura kështu, madje asnjë grua të zhveshur televizioni. E kuptoj, këtyre vajzave të mira, u duhet të mbijetojnë në këto ekrane të egra në këto forma, ndryshe do ta pësojnë si ca mikeshat e mia që nuk duken më andejpari ekraneve se janë "plakur".
Por unë do t'u lutesha që t'i ruanin këto fustane për mbrëmjet e diskotekave a plazheve të shumtë, sepse kështu mbrojnë disi nga strabikët mentale mikeshat e tyre të heshtura pas ekraneve. Ua kam hequr fytyrat vajzave sepse nuk e kam personale me to-mund të jenë plot që nuk m;i ka zënë syri-por e kam me ethet e pështira të ekraneve, që ma kujtojnë mua të parës, dhe ne grave shqiptare, se çfarë është femra. Mua, që kam shkruar libra mes të tjerash për lirinë dhe emencipimin e gruas shqiptare.
