Ndeshja mes Partizanit dhe Tiranës e cila ishte e vlefshme për javën e 24-të të “Abissnet Superiore”, përfundoi me fitoren e “Demave”. Derbi që u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me rezultatin 2-1. Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV, ka folur autori i golit të përmbyesjes, Tedi Cara.
“Jam shumë i lumtur për këtë fitore që kemi bërë sot. Por më shumë i lumtur që shënova e ndihmova ekipin. Është ndjesi e veçantë kur shënon në derbi, e kam pasur gjithmonë dëshirë. Ky është goli im i dytë dhe jam i lumtur, sidomos se morëm tre pikët se kemi humbur pikë kot në ndeshjet e kaluara.
Për golin, doja të thosha që këtë fitore ia dedikojmë profesor Shehit se që kur ka ardhur, ka punuar mirë me ne, na ka mbajtur pranë si shokë dhe na ka ardhur keq që nuk kanë ardhur rezultatet e duhura. Edhe pse kemi bërë lojë të mira. Besoj se me këtë fitore i kemi bërë një surprizë të bukur. Flas në emër të çunave dhe ia dedikojmë atij këtë fitore.
Jemi në vendin e dytë, por do të fitojmë e marrim maksimumin e të gjitha ndeshjeve e të fitojmë, të mos lëmë pikë në të gjithë ndeshjet si këto. I kemi dominuar kundërshtarët e na kanë ikur pikët. Të luftojmë pse jo për vendin e parë, për të marrë maksimumin, edhe nëse nuk jemi në vendin e parë, në të dytin të paktën”, është shprehur Cara pas fitores në derbi.